Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka propozuar Kuvendit të Kosovës shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme në lidhje me situatën në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.
Thaçi ka thënë se pas takimit me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, kanë marrë vendim që në Kosovë të shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës jemi në një rrethanë të papërballuar më përpara, ne ballafaqohemi jo me grip sezonal por me një grip vdekjeprurës dhe duhet të angazhohemi të gjithë, duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit, unë sonte kam thirrur për takim në një konsultë dhe bashkëbisedim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas një kërkese ndaj kryeministrit Kurti ku u takuam biseduam dhe natyrisht për përballimin dhe marrjen e masave ndaj këtij virusi. Prandaj jemi të detyruar që të deklarojmë dhe të propozojmë dhe në të njëjtën kohë duke respektuar Kushtetutën e vendit dhe neneve e ligjeve të Kosovës, do t’i propozojë Kuvendit të Kosovës shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme të situatës në Kosovë”, tha Thaçi, transmeton Gazeta Metro.
Thaçi tha se gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë përfshinë edhe mobilizimin e FSK’së në territorin e Kosovës. “Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë e përfshinë mobilizimin e FSK’së në tërë territorin e Kosovës”, tha Thaçi.
Kujtojmë se nga virusi kinez COVID-19 apo i njohur ndryshe si koronavirusi janë prekur 19 persona, të cilët deri tani gjendja e tyre është stabile./gazetametro.net



