Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se rreshtimi i shqiptarëve pranë popullit amerikan dhe shtetit amerikan, i ka prodhuar rezultatet më të mëdha politike dhe historike për Kosovën, transmeton Gazeta Metro.
Me anë të një postimi në Facebook, Thaçi ka ftuar qytetarët dhe institucionet e vendit të jenë të hapura dhe t’i mirëpresin këshillat dhe kërkesat e SHBA’së. Ai tutje ka shtuar se populli i Kosovës janë mirënjohës për rrugëtimin historik drejt lirisë dhe pavarësisë nën mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se lidhjet e këtyre dy vendeve janë shumë të thella dhe e tejkalojnë raportin e thjeshtë politik dhe institucional mes dy vendeve.
“Jemi mirënjohës për rrugëtimin tonë historik drejt lirisë dhe pavarësisë nën mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lidhjet tona me SHBA-në janë shumë më të thella dhe tejkalojnë raportin e thjeshtë politik e institucional mes dy vendeve. Ato janë lidhje shpirtërore e historike të një raporti besimi dhe vlerësimi reciprok, që unifikohet nën parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të qytetarëve”. “I ftoj qytetarët dhe institucionet e Kosovës të jenë të hapura dhe t’i mirëpresin këshillat dhe kërkesat e SHBA-së, sepse kjo miqësi është fat dhe bekim i madh për ne”, ka shkruar Thaçi në Facebook. /gazetametro.net