Qeveria Kurti në mbledhjen e sotme ka marrë shumë vendime edhe për shfuqizimin e disa vendimeve të qeverisë së kaluar të Ramush Haradinajt, shkruan Gazeta Metro.
Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin e qeverisë së kaluar që ka të bëjë me përfitimet e ish-zyrtarëve pas përfundimit të mandatit të tyre. Para se të mirrert vendimi, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo po bëhet për të reduktuar shpenzimet qeveritare. “Përveç që po reduktojmë ministritë për shtet më të fortë ne duhet t’i reduktojmë edhe shpenzimet posteriore që kanë pasoja të mëdha, pasi që kemi problem me numrin e madh të ministrave dhe zëvendësministrave nga mandati i kaluar”.
“Të shfuqizohet vendimi për përfitimet e zyrtarëve pas mbarimit të mandateve të tyre. Kemi pasoja të mëdha posaçërisht nga numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave nga qeveria e kaluar”, tha Kurti. Po ashtu është votuar edhe shkarkimi i Bordit të Telekomit, shkarkimi i Sekretarit të Infrastrukturës, Betim Reçica dhe është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së UÇK’së.//gazetametro.net