Derisa të gjithë po prisnin që avokati Tomë Gashi të shprehë një lloj pendese për gjestin e tij ndaj një lypsari në Prishtinë, ai ka bërë një veprim krejtësisht të kundërt.
Gashi në vend të kësaj i ka thurur lavde vetes, duke thënë se nga tërë kjo situatë e mirë apo e keqe, ka arritur të kuptojë se sa i popullarizuar është dhe sesa ka vlerë emri i tij, shkruan Reporteri.net. Tërë situatën që pasoi pas gjestit të tij skandaloz, Gashi e sheh sikur të mos ketë ndodhur asgjë. “Në këtë situatë e mirë e keqe, sido që të jetë, unë besoj që nuk ka ndodhë kurrgjë e madhe, unë e kam pa se sa kokna i popullarizuar dhe sa emri jem paska vlerë”, është shprehur Gashi.
Këto deklarata avokati Tomë Gashi i ka bërë në emisionin e mëngjesit në T7, ku ka sqaruar se si ka rrjedhur ngjarja. Ndër të tjera, ai ka thënë se nuk e ka shqelmuar personin në fjalë, por shportën e tij dhe se këtë e ka bërë pasi kishte marrë disa sharje nga ai. Kujtojmë se veprimi i Tomë Gashit është dënuar edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kanë quajtur si të papranueshëm dhe johuman. Oda e Avokatëve të Kosovës ka kërkuar hetim dhe procedurë diciplinore lidhur me rastin./Reporteri.net