Ushtarakë serbë kanë zhvilluar vizitë në Prishtinë. Ata janë takuar me homologë të tyre nga forcat e KFOR-it. Kjo e fundit, në lidhje me këtë takim ka lëshuar komunikatë për media.
Por, nuk dihet forma se si ata janë futur në Kosovë dhe kush u ka dhënë leje të njëjtëve.
“Përfaqësuesit e Komisionit të Përbashkët për Zbatimin (JIC) të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë takuar me homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (FAS), në kampin “Film City” në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.
“Marrëveshjet aktuale në fuqi vazhdojnë të dëshmojnë se përbëjnë një kornizë të qëndrueshme për bashkëpunim dhe koordinim”, shton.
Sipas KFOR-it, me Forcat e Armatosura të Serbisë, mbajnë një marrëdhënie “të bazuar në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë”.
“KFOR-i mbetet plotësisht i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij, të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thotë KFOR në njoftim.



