Qeveria e Kosovës ka njoftuar për miratimin në lexim të parë buxhetin për vitin 2027 mbrëmë nga Kuvendi i Kosovës.
Me zotime të mëdha, Qeveria tha se me këtë buxhet “synon ta kalojë Kosovën nga faza e rritjes ekonomike në atë të transformimit ekonomi”.
Ekzekutivi tha se këtë do ta arrijnë “përmes investimeve publike e private, krijimit të vendeve të punës dhe shpërndarjes më të gjerë të përfitimeve ekonomike te qytetarët”.
“Buxheti prej 4.27 miliardë eurosh synon rritjen e mirëqenies së qytetarëve, forcimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke ruajtur stabilitetin fiskal. Ndër prioritetet kryesore veçohen ndarja e 908 milionë eurove për komunat, mbi 1 miliard euro për investime kapitale, paga e 13-të për punonjësit publikë dhe rritja e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku i vitit 2027, si dhe rritja graduale e shtesave për fëmijë me synim dyfishimin e tyre deri në vitin 2030”.
Qeveria tha se gjithashtu, parashihen “investime në shëndetësi, infrastrukturë rrugore, siguri ujore, mbrojtje të mjedisit, sport dhe turizëm, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, themelimin e një kompanie kombëtare ajrore dhe zhvillimin e resorteve turistike”.



