spot_img
spot_img

UEFA e dënon rëndë Kosovën

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) e ka dënuar rëndë Federatën e Futbollit të Kosovës për shkeljet e bëra në ndeshjen e Kosovës ndaj Izraelit.

Ndaj FFK-së u hapën disa procedura disiplinore për hedhje të gjësendeve, transmetim të mesazhit të papërshtatshëm për ngjarje sportive, pengim të himnit dhe sjellje raciste ose diskriminuese.

FFK-ja është gjobitur me 42 mijë e 250 euro dhe me dënim me kusht me mbyllje të pjesshme të stadiumit në ndeshjen e ardhshme si vendase.

Me 10 mijë euro FFK-ja është gjobitur për sjellje raciste ose diskriminuese. Për këtë shkelje UEFA ka urdhëruar mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri” për një ndeshje, por ky dënim është me kusht. Është saktësuar se mbyllja duhet të jetë për një sektor.

Për hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës, FFK-së është gjobitur me 2250 euro. Për fishkëllimat gjatë himnit të Izraelit, FFK-ja do të paguajë në UEFA edhe 10 mijë euro të tjera.

Plot 20 mijë euro është dënimi për transmetimin e mesazhit që nuk është i përshtatshëm për ngjarjet sportive. Nuk është saktësuar se për cilin mesazh bëhet fjalë.

Ndeshja e javës së kaluar mes Kosovës dhe Izraelit i takoi Ligës së Kombeve të UEFA-s. Përfundoi 0:0. Kanë bërë bujë fishkëllimat e tifozëve të Kosovës gjatë intonimit të himnit të Izraelit. Po ashtu disa lojtarë të Kosovës mbajtën kokën ulur në shenjë proteste ndaj Izraelit.

Dhe, ashtu si pritej, UEFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës. Është dënimi i dytë që UEFA ndan për Kosovën për shkeljet e bëra në edicionin e pestë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

UEFA të enjten i publikoi vendimet për shkeljet e fundit. Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s ka dënuar edhe Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, të Rumanisë dhe të Anglisë./KOHA

TË FUNDIT

TË FUNDIT