spot_img
spot_img

Ahmeti shpërthen ndaj Kurtit: Më lëndoi mua dhe ushtarët e UÇK-së, doli në krah të Mickoskit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e tij se gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ahmeti është shprehur thellësisht i lënduar nga kjo deklaratë, duke e akuzuar Kurtin se ka mbështetur qëndrimin e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski.

Ahmeti ka thënë se deklarata e Kurtit nuk e ka prekur vetëm atë personalisht, por ka lënduar edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

“Goxha keq kryeministri juaj më ka goditë në shpirt. Po pse më goditi aq shumë në shpirt?”, ka deklaruar Ahmeti.

Për të shpjeguar reagimin e tij, kreu i BDI-së ka kujtuar sakrificën e dëshmorëve të luftës, duke përmendur në veçanti nënën e dëshmorit Afrim Kalanica, të cilën, sipas tij, e kishte parë pranë varrit të të birit në Sllupçan.

Ahmeti ka vënë në pikëpyetje kuptimin e sakrificës së dëshmorëve, nëse mohohet statusi zyrtar i gjuhës shqipe, për të cilën është luftuar.

“Kur nëna e Afrim Kalanicës m’u kujtua ulë te varri që është tek dëshmorët e Sllupçanit. Afrim Kalani… asnjë nënë që janë vra këtu djem që kanë derdhë gjak, nuk i kanë marrë andej, të gjithë i kanë pranë shokëve të vet, këtu. Dhe lotët i binin te guri i varrit. Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dalë kryeministri juaj me thënë që gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare? Turp!”, ka thënë ai.

Ahmeti ka akuzuar Kurtin se me deklaratën e tij ka dalë në mbështetje të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ai ka treguar se disa herë ka kërkuar publikisht nga kryeministri kosovar të sqarojë qëndrimin e tij, por nuk ka marrë përgjigje.

“Del krah Kristijan Mickovskit dhe thotë: gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare. Tri herë kam kërkuar publikisht të prononcohet: a është keq i informuar prej… informacionet dhe informatorët që i ka, apo shqiptarët që i ka? Nuk e ka bërë.”

Sipas Ahmetit, deklarata e Kurtit është përdorur për një muaj në mediat televizive në Maqedoninë e Veriut, duke u paraqitur si argument për të mbështetur qëndrimin se shqipja nuk ka qenë gjuhë zyrtare.

“Krah Kristijan Mickovskit dhe del… Një muaj ditë, nuk e kanë hequr nga ekranet televizive: „Ja deklarata e kryeministrit të Kosovës: gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare në Maqedoni.”

Në përfundim, Ahmeti ka përsëritur se deklarata e Kurtit ka shkaktuar, sipas tij, lëndim të thellë te ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, përfshirë ata që jetojnë në Kosovë.

“Kjo më ka vrarë shpirtërisht. Kjo ka vrarë shpirtërisht çdo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, edhe pjesëtarët që i ka në Kosovë; mbi tre mijë ushtarë ka UÇK-ja në Kosovë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare.”

TË FUNDIT

TË FUNDIT