spot_img
spot_img

Gjykata e Beogradit lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin

Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë dhe ka lëshuar urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe organizatorin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Në një përgjigje për “N1”, gjykata ka konfirmuar se urdhri për paraburgim dhe urdhërarresti janë lëshuar pasi Radoiçiqi nuk është paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor.

Radoiçiqi ishte urdhëruar që të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datën 1 dhe 15. Ai ishte paraqitur më 1 nëntor, por nuk ishte paraqitur në datën 15.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Radoiçiqi është larguar drejt Rusisë pas rezultateve të zgjedhjeve, në të cilat partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pësoi humbje përballë Listës së Studentëve. Radoiçiqit më herët i ishte konfiskuar edhe pasaporta.

Radoiçiqi është në kërkim edhe nga INTERPOL-i, ndërsa Kosova e konsideron atë si organizatorin kryesor të sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, Radoiçiqi, përmes avokatëve të tij, kishte pranuar se e kishte organizuar sulmin. Në të njëjtën kohë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka bërë thirrje që Serbia duhet ta dorëzojë Radoiçiqin tek autoritetet e Kosovës./koha.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT