spot_img
spot_img

Rryma nga Sërbia më lirë më shtrenjtë? Apo turbo-folk duartokitës?

Rryma nga Sërbia më lirë më shtrenjtë? Apo turbo-folk duartokitës?

Për mua, aktualisht, më e rëndësishme është mirëqenia e qytetarëve, siguria ekonomike dhe mundësia për të jetuar më mirë, sesa retorika politike dhe turbo-folku patriotik që shpesh përdoret për të mbuluar mungesën e politikave të menduara mirë.

Vendimi i sotëm i Kosovës për të mos blerë energji elektrike nga Serbia, sado që mund të tingëllojë politikisht atraktiv dhe të prodhojë duartrokitje në një pjesë të opinionit publik, nuk është domosdoshmërisht një vendim racional, as ekonomikisht dhe as shoqërisht.

Përkundrazi, nëse nuk mbështetet në një alternativë të qëndrueshme energjetike, rrezikon të mbetet një akt simbolik me kosto reale për qytetarët.

Kosova nuk arrin të prodhojë energji elektrike në sasi të mjaftueshme për të mbuluar konsumin e brendshëm. Kjo do të thotë se, pavarësisht vullnetit politik, ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike. Në këto rrethana, çështja kryesore nuk duhet të jetë nga cili shtet blejmë energji, por ku mund ta sigurojmë atë me çmim më të favorshëm, me më pak rrezik dhe me më shumë garanci për furnizim të qëndrueshëm.

Këtu qëndron dallimi ndërmjet politikës si administrim racional i interesit publik dhe politikës si prodhim i emocioneve kolektive.
Në sociologjinë politike ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet legjitimitetit që ndërtohet përmes rezultateve konkrete dhe atij që mbështetet në mobilizimin emocional të masave. Politika populiste shpesh e zhvendos vëmendjen nga problemet materiale të shoqërisë drejt simboleve, kundërshtarëve dhe narrativave identitare. Në këtë mënyrë, një vendim mund të fitojë popullaritet politik edhe atëherë kur dobia e tij reale për qytetarët mbetet e diskutueshme.

Nuk po them se Kosova duhet të blejë patjetër energji nga Serbia, as se interesat politike dhe ekonomike të shtetit serb duhet të shpërfillen. Po them se marrëdhëniet ekonomike dhe vendimmarrja shtetërore duhet të udhëhiqen nga interesi publik, jo nga nevoja për të prodhuar spektakël politik. Nëse ekzistojnë alternativa më të mira, më të lira dhe më të sigurta, ato duhet të shfrytëzohen. Por nëse një furnizues tjetër na kushton më shtrenjtë, atëherë kush e paguan diferencën?

Në fund, qytetari.

Një shoqëri nuk mund ta ndërtojë mirëqenien e saj duke e ngatërruar vazhdimisht simbolikën e sovranitetit me përmirësimin e kushteve të jetesës. Sovraniteti nuk matet vetëm me deklarata, ndalesa dhe distancim simbolik nga shtetet e tjera. Ai matet edhe me kapacitetin për të prodhuar energji, për të zhvilluar ekonomi, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe për t’u ofruar qytetarëve jetë më të dinjitetshme.

Patriotizmi, në kuptimin e tij më racional, duhet të shihet përmes rezultateve që prodhon për shoqërinë, jo përmes intensitetit të emocioneve që arrin të zgjojë.

Unë preferoj një politikë që mund të mos prodhojë duartrokitje të menjëhershme, por që garanton energji më të lirë, ekonomi më funksionale dhe mirëqenie më të madhe. Sepse në fund të fundit, qytetarët nuk jetojnë me retorikë politike, por me paga, çmime, energji elektrike dhe mundësi reale për një jetë më të mirë.

Më pak populizëm simbolik, më shumë racionalitet ekonomik dhe përgjegjësi publike.

Shkruan: Rik Fejza

TË FUNDIT

TË FUNDIT