Qeveria e Kosovës ka shpallur masat emergjente për furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë, në përpjekje për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe për të përballuar krizën energjetike gjatë sezonit të dimrit.
Vendimi qe ka siguruar Periskopi është marrë në mbledhjen e Qeverisë të 16 nëntorit 2026, ndërsa parasheh që ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-Lepenci” të detyrohet të prodhojë energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit, për furnizimin e konsumatorëve që përfitojnë nga shërbimi universal, transmeton Periskopi.
Sipas vendimit, prodhimi i energjisë nga Ujmani do të bëhet në bazë të udhëzimeve të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Ky i fundit obligohet që të udhëzojë Ibër-Lepencin të prodhojë energji sa herë që është teknikisht e mundur gjatë orëve të pikut, apo në periudhat kur prodhimi mund të ndikojë më së shumti në uljen e kostove të sistemit dhe sigurinë e furnizimit.
Furnizuesi për Shërbim Universal do të jetë përgjegjës për kompensimin e Ibër-Lepencit për energjinë e prodhuar, në përputhje me çmimin referent të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Qeveria ka vendosur gjithashtu themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante.
Ky komitet do të ketë për detyrë të monitorojë gjendjen e furnizimit me energji elektrike dhe të raportojë çdo dy javë në Ministrinë e Ekonomisë. Po ashtu, do të mund të rekomandojë masa shtesë, përfshirë edhe kushte të veçanta komerciale, për menaxhimin e situatës emergjente.
Një tjetër pikë e vendimit obligon të gjitha institucionet publike që të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike. Ndërkohë, Qeveria ka lënë të hapur mundësinë e ndërmarrjes së masave të tjera, varësisht nga zhvillimet dhe nevojat që mund të paraqiten.




