spot_img
spot_img

Pas incizimeve të Halil Thaçit për ndërhyrjen e Kurtit në KEK, Prokuroria Speciale nis hetimet

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me audio-incizimet në të cilat kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, flet për ndërhyrjen e pretenduar të kryeministrit Albin Kurti në një konkurs punësimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale në një përgjigje për VOX Kosova, mediumi që publikoi fillimisht audio-incizimet.

Sipas përgjigjes së Prokurorisë, hetimet janë iniciuar sipas detyrës zyrtare, bazuar në informacionet e publikuara në media.

Ky institucion ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Qëllimi, sipas Prokurorisë, është ndriçimi i plotë i rrethanave dhe fakteve që lidhen me rastin.

Gjithçka nisi me publikimin e audio-incizimeve nga VOX Kosova më 12 nëntor.

Në këto incizime, kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, dëgjohet duke folur për një konkurs me 150 vende pune në KEK.

Ai pretendon se konkursi ishte hapur pas ndërhyrjes së kryeministrit Albin Kurti, në prag të balotazhit të zgjedhjeve lokale të vitit 2021.

“Albin Kurti mua ma ka çelë këtë konkurs veç për Obiliq”, dëgjohet duke thënë Thaçi.

Sipas raportimit të VOX Kosova, incizimi është realizuar në një odë në Obiliq, gjatë periudhës 12 tetor – 9 nëntor 2025.

Në atë periudhë, Thaçi po garonte në balotazh për kryetar të Obiliqit kundër Xhafer Gashit.

Gjatë bisedës, ai u rrëfen të pranishmëve se si, sipas tij, Kurti kishte ndikuar në hapjen e konkursit për 150 punëtorë.

Konkursi ishte hapur më 6 nëntor 2021, vetëm tetë ditë para mbajtjes së balotazhit të atij viti.

Pretendimet e Thaçit kanë ngritur dyshime për ndërhyrje politike në procesin e punësimit në ndërmarrjen publike.

Megjithatë, deklarimet në audio-incizime nuk përbëjnë vetvetiu provë se konkursi ishte manipuluar apo se personat e përmendur kanë kryer vepër penale.

Tashmë, Prokuroria Speciale ka konfirmuar nisjen e hetimeve për të sqaruar rrethanat e rastit.

TË FUNDIT

TË FUNDIT