Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, shprehu keqardhje për këngën serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, të luajtur në koncertin që hapi Forumin e Zgjerimit të BE-së, dhe ua atribuoi përzgjedhjen muzikantëve.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, tha Kos, sipas KOHËS.
Deklarata vjen një ditë pasi zyrtarë të Kosovës, partitë e opozitës dhe një eurodeputet kërkuan shpjegime nga Komisioni dhe nga vetë Kos.
Komisionerja tha se janë të vetëdijshëm për sakrificat e njerëzve në atë pjesë në të kaluarën dhe foli për pajtim pa harruar historinë. “Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, tha ajo.
Kënga, e shkruar në vitin 1989 në shenjë të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, u luajt pa vokal të dielën, më 15 nëntor. Ambasadori Agron Bajrami kërkoi një sqarim të menjëhershëm se si u përzgjodh dhe u miratua repertori, ndërsa kryenegociatori Jeton Zulfaj pyeti pse Kosova nuk ishte e ftuar. Nga opozita, Ardian Gjini dhe Besnik Tahiri fajësuan edhe qeverinë.



