spot_img
spot_img

Në mesin e dy laureatëve të Çmimit Nobel, Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi ftohet të ligjërojë në Universitetin e Kyotos në Japoni

Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi, profesoreshë dhe studiuese në Universitetin e Prishtinës, ka marrë ftesë zyrtare për të ligjëruar në konferencën ndërkombëtare shkencore ProMediCon 2027, e cila do të mbahet në Universitetin e Kyotos në Japoni. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe dy laureatë të Çmimit Nobel, Aaron Ciechanover dhe Susumu Kitagawa, raporton Gazeta Sinjali.

Konferenca, e planifikuar të mbahet nga 12 deri më 14 prill 2027, do të mbledhë shkencëtarë dhe studiues nga vende të ndryshme të botës për të prezantuar zhvillimet dhe rezultatet kërkimore në fushën e kimisë mjekësore, zbulimit të barnave dhe terapive inovative.

Berisha-Muharremi është ftuar në cilësinë e folëses së ftuar (Invited Speaker) dhe ka bërë të ditur se do të prezantojë rezultatet e punës së saj shkencore në fushën e fotobiomodulimit të tiroides.

Pjesë e konferencës janë paralajmëruar edhe Prof. Aaron Ciechanover, laureat i Çmimit Nobel për Kimi në vitin 2004, dhe Prof. Susumu Kitagawa, laureat i Çmimit Nobel për Kimi në vitin 2025, si dhe Prof. Trevor Robbins nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke njoftuar për ftesën, profesoresha kosovare ka shprehur mirënjohjen dhe emocionet për mundësinë që puna e saj kërkimore të prezantohet në një institucion akademik me njohje ndërkombëtare.

“Jam thellësisht e nderuar dhe mirënjohëse për ftesën zyrtare si folëse e ftuar në Konferencën Ndërkombëtare ProMediCon 2027, që do të mbahet në Universitetin e Kyotos, Japoni!”, ka shkruar ajo.

Berisha-Muharremi e ka cilësuar si privilegj të veçantë pjesëmarrjen në një konferencë ku do të ligjërojnë edhe shkencëtarë të vlerësuar me çmimin më prestigjioz në botën e shkencës.

“Ndihem veçanërisht e privilegjuar që do të kem mundësinë të jem folëse në të njëjtën konferencë me shkencëtarë të shquar, përfshirë laureatët e Çmimit Nobel”, ka theksuar ajo.

Kjo është hera e dytë që Berisha-Muharremi ftohet si ligjëruese në Japoni, një arritje që ajo e lidh me përkushtimin shumëvjeçar ndaj punës akademike dhe kërkimit shkencor.

Profesoresha ka falënderuar në veçanti Prof. Ganesh Pandian Namasivayam dhe Prof. K. S. Rangappa për ftesën, besimin dhe vlerësimin e punës së saj.

“Me padurim pres të prezantoj rezultatet e punës sime kërkimore në fushën e Fotobiomodulimit të Tiroidës, të përfaqësoj me krenari Kosovën dhe Universitetin e Prishtinës, si dhe të shkëmbej njohuri, përvoja dhe ide me shkencëtarë e studiues të shquar nga e gjithë bota”, ka shkruar Berisha-Muharremi.

Përmes kësaj pjesëmarrjeje, profesoresha nga Kosova synon të prezantojë rezultatet e kërkimeve të saj para komunitetit ndërkombëtar shkencor dhe të krijojë mundësi të reja për shkëmbim njohurish e bashkëpunim akademik.

Konferenca ProMediCon 2027 do të zhvillohet në Kyoto gjatë muajit prill, në periudhën e njohur për lulëzimin e qershive japoneze, Sakura./Sinjali

TË FUNDIT

TË FUNDIT