Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka kërkuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të mos ndërhyjnë në mënyrën se si ajo e udhëheq seancën dhe përcakton kohën e diskutimeve për deputetët.
Deklarata e saj erdhi gjatë interpelancës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi ky i fundit po i replikonte një deputeti dhe i kishte kaluar koha e paraparë për diskutim.
Në atë moment, mikrofonit të Vitisë iu ndërpre zëri, ndërsa deputetët e Vetëvendosjes reaguan nga salla.
Haxhiu iu drejtua deputetëve të partisë së saj, duke kërkuar që të mos i diktojnë mënyrën e drejtimit të seancës dhe kohën që duhet t’i jepet secilit.
“I kërkoj deputetëve të Vetëvendosjes që të mos më tregojnë qysh me udhëheq seancën dhe kujt sa minuta me ia dhënë”, tha Haxhiu.
Edhe në fillim të seancës, Haxhiu ia tërhoqi vërejtjen deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi, duke i thënë se, nëse do të kishte nevojë për këshilla procedurale për mënyrën e udhëheqjes së seancës, do ta konsultonte atë/Reporteri.net/




