spot_img
spot_img

Isa Mustafa për Osmanin: Është dëm të merrem me të, është katandisur keq

Mbrëmë ish-presidentja Vjosa Osmani, tash deputete e LDK-së, ka sulmuar ashpër përsëri ish-kryeministrin e Kosovës, dikur bashkëpartiak, Isa Mustafa.

Pikërisht Vjosa Osmani derisa po fliste për Qeverinë Kurti tha se ata duhet të përmirësohen, jo të bëhen kopje të qeverive Thaçi dhe Mustafa.

“Le të përmirësohen, jo të bëhen kopje të këqija të Isës dhe Hashimit. Duhet të kenë më shumë ambicie. Edhe unë si presidente për dy vite është dashur të merrem me pasojat e dëmeve që i kanë bërë të tjerët përpara”, tha mbrëmë Osmani në Kanal10.

Lidhur me këtë deklartë një përgjigje pati ish-kryeministrin Isa Mustafa.

“Është dëm të merrem me të. Është katandisur keq”, u shpreh Mustafa tek lajmi net.

Osmani mbrëmë sulmoi edhe bashkëpartiakët e saj, konkretisht gjashtë deputetët që ishin kundër marrëveshjes VV-LDK për çështjen e presidentit.

“Ata thanë para se të kthehet kërko falje, dhe unë ju thash jo, nuk kërkoj falje për asgjë. Sepse LDK-ja me ka lutur me u rikthy. Asgjë nuk i kam kërkuar LDK-së, as nuk i kam kërkua pozicion partiak, as sot nuk i kërkoj asgjë. Jam kthy me ndihmu. Natyrisht që SHIK-ut i pengon kjo. Po pse disa po veprojnë në interes të tyre brenda partisë është e tmerrshme, është e dëmshme”, ka thënë ajo.

Gjatë intervistës së mbrëmshme, ajo e ka thënë atë që as VV-ja nuk e ka thënë deri tash.

Sipas saj, Avdullah Hoti është bërë kryeministri i Kosovës me vota të vjedhura.

“Dhe në qoftë se mendojnë që tash e tutje unë do ta uli kryt, sepse unë si presidente, edhe në kohë fushate, ua kam përbi ofendimet, edhe tash një kohë të gjatë. Sepse mendoja se ndoshta ata i kuptojnë gabimet e se kaluarës. Ndoshta ata e kuptojnë që shkarkimi im ka qenë gabim, ndoshta ata e kuptojnë që rrëzimi një qeveri në kohë pandemie ka qenë gabim. Ndoshta Hoti e kupton që fakti që i ka kontrbanduar votat që i kam marrë unë si kandidate për kryeministre dhe me vota të vjedhura dhe me vullnet të vjedhur qytetar ka krijuar atëherë Qeveri ka qenë gabim”, ka thënë ajo, duke u marrë edhe me deputeten Hykmete Bajrami.

“Ndoshta zonja Bajrami e kupton që të dalësh publikisht dhe të thuash se nuk ka problem me Listën Serbe është gabim që e dëmton partinë pariparueshëm. Ndoshta z. Hoti e kupton që nuk është mirë me u zgërdhi para Vuçiqit dhe me i thënë “razumem”. Ditën që e kuptojnë çfarë demi i është bërë partisë prej këtyre gabimeve, ajo është dita që LDK-ja fillon me u rikthy”, ka thënë Osmani.

Në lidhje me këtë deklarim, ka reaguar ashpër ish-kryeministri, tash deputet, Avdullah Hoti.

“Turizmi politik është aktivitet joetik në politikë. Koha po i sqaron të gjitha. Kur mbaron sezoni i turizmit politik, mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri në ofertën turistike politike të radhës. Matrapazët politikë edhe mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta. Sërish, koha po i nxjerr në dritë të gjitha të vërtetat.”, ka shkruar Hoti.

TË FUNDIT

TË FUNDIT