spot_img
spot_img

Arrestohet një gjerman në Kosovë, në veturën e tij kapen 43 armë të gjata automatike

Një shtetas gjerman është arrestuar në rajonin e Gjilanit, pasi në automjetin me të cilin po udhëtonte janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armë të gjata automatike.

Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale, në kuadër të hetimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe këtij institucioni, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikimin e kundërligjshëm të armëve.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, i dyshuari me inicialet L.S. fillimisht është ndaluar në rajonin e Gjilanit, ndërsa automjeti me të cilin po udhëtonte është dërguar për kontroll dhe skanim të mëtejshëm. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armët automatike.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, po vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit, përfshirë verifikimin e origjinës dhe destinacionit të armëve.

TË FUNDIT

TË FUNDIT