spot_img
spot_img

Alarmante: Shteti nuk ua siguron barnat pacientëve me kancer, njëri detyrohet të paguajë 682 euro dhe prapë mbetet pa dozën e plotë!

Një pacient me kancer është përballur sot me mungesë të barnave në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke u detyruar të shpenzojë 682 euro nga xhepi për të siguruar një pjesë të terapisë së përshkruar nga mjeku.

Gazetarja Saranda Ramaj ka publikuar pesë fakte që dëshmojnë gjendjen me të cilën është përballur pacienti më 10 nëntor 2026, duke iu referuar dokumenteve mjekësore, dëshmive të blerjes dhe deklarimit të vetë pacientit.

Sipas dokumentacionit të QKUK-së, nga katër barnat e nevojshme për trajtimin e tij, Klinika e Onkologjisë kishte në dispozicion vetëm dy. Ndërsa Bevacizumab (Avastin) 600 mg dhe Paclitaxel 300 mg mungonin.

Për shkak të mungesës së Bevacizumab-it, pacienti është detyruar ta sigurojë këtë bar përmes tregut joformal, pa faturë. Për 400 mg ka paguar 400 euro, ndërsa për 100 mg të tjera 150 euro. Për të plotësuar dozën e përshkruar prej 600 mg, i nevojiteshin edhe 100 mg të tjera, por për shkak të kostos nuk ka arritur t’i blejë.

Kështu, vetëm për 500 mg Bevacizumab, pacienti ka shpenzuar 550 euro, pa arritur ta sigurojë dozën e plotë të përshkruar nga mjeku.

Ndërkohë, mungesa e Paclitaxel-it e ka detyruar të paguajë edhe 132 euro të tjera. Për tri ampula nga 100 mg, me çmim prej 44 eurosh për secilën, ai ka paguar gjithsej 132 euro, siç dëshmohet edhe nga fatura e datës 10 nëntor.

Në total, për trajtimin e asaj dite, pacienti ka shpenzuar 682 euro nga paratë e veta, por pavarësisht kësaj, nuk ka arritur ta sigurojë të gjithë terapinë e përshkruar.

Rasti ngre pikëpyetje serioze për furnizimin e Klinikës së Onkologjisë me barna esenciale. A bëhet fjalë për dështim të planifikimit, probleme me prokurimin apo mungesë të organizimit në zinxhirin e furnizimit? Dhe, mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi për mungesën e barnave nga të cilat varet trajtimi i pacientëve me kancer?

Përtej këtyre pyetjeve institucionale, për pacientin dhe familjen e tij shqetësimi është shumë më i drejtpërdrejtë: nëse mjeku ia përshkruan terapinë, a do t’ia sigurojë shteti barnat apo do të detyrohet t’i blejë vetë, me aq para sa ka në dispozicion?

682 euro të shpenzuara dhe një dozë e paplotësuar – kjo është kostoja me të cilën është përballur një pacient me kancer vetëm për trajtimin e 10 nëntorit.

Gazetarja Saranda Ramaj ka bërë të ditur se për publikimin e këtyre dëshmive ka marrë leje nga vetë pacienti, i cili e ka kontaktuar atë.

TË FUNDIT

TË FUNDIT