Një qytetar nga Kukësi ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Kosova sjelljen e dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët, sipas tij, e kanë gjobitur padrejtësisht dhe e kanë kërcënuar teksa udhëtonte me familjen në automjet.
Qytetari pretendon se është ndaluar nga policët dhe është ndëshkuar për një parakalim të dyshuar.
Sipas tij, fillimisht i është komunikuar një gjobë prej 150 eurosh, ndërsa në dokumentin zyrtar që i është dorëzuar figuron shuma prej 200 eurosh. Në fletëgjobën e siguruar nga redaksia përmendet tejkalimi në vijë të plotë, ndërsa qytetari kundërshton mënyrën se si është trajtuar.
Ai pretendon gjithashtu se policët i kanë thënë se për tre muaj nuk do të ketë të drejtë të hyjë në Kosovë. I revoltuar nga situata, qytetari shprehet: “Unë s’jam vrasës, as serb”, duke kërkuar sqarime për masën e pretenduar dhe trajtimin që thotë se ka përjetuar.
Denoncuesi ka dërguar në redaksi fotografi, video nga vendi i ndalimit dhe fletëgjobën prej 200 eurosh. Ai kërkon ndihmë ligjore për të kundërshtuar vendimin dhe për të denoncuar dy efektivët. Pretendimet e tij për kërcënimet dhe sjelljen e policëve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
JOQ Kosova i bën thirrje Policisë së Kosovës të sqarojë rrethanat e këtij rasti dhe pretendimet e ngritura nga qytetari.




