spot_img
spot_img

Emërimet e familjarëve të pushtetarëve në ambasada, Konjufca: Ata m`i sjellin, unë vetëm i nënshkruaj

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, është deklaruar për emërimet e shumë familjarëve të pushtetarëve në diplomaci.

Ai e ka pranuar se nuk merret me emrat e atyre që propozohen për poste diplomatike në ambasada dhe konsullata të Kosovës.

Shefi i diplomacisë ka deklaruar se ai vetëm i nënshkruan vendimet që ia sjell një komisioni i ministrisë që e drejton.

“Nuk merrem me emra të veçantë. I kemi bërë 54 lëvizje në Ministrin e Punëve të Jashtme. Këtu është një komision profesional që e kemi caktuar, përbehet edhe prej ambasadorëve. Unë nuk merrna me emra. Ata vetëm m`i sjellin, unë i nënshkruaj”, ka thënë Konjufca.

Ai ka refuzuar të përgjigjet nëse është shfuqizuar vendimi 113/2024, i cili ndalonte punësimin e familjarëve të pushtetarëve në diplomaci.

Gjatë terë javës, gazeta Nacionale ka treguar për “rehatimet” e njerëzve të pushtetit të VV-së nëpër ambasada e konsullata të Kosovës.

Sot gazeta ka shkruar se si Fitore Mehmeti, motra e Festim Mehmetit, kandidat i partisë Guxo në zgjedhjet lokale, ka marrë postë të rëndësishëm diplomatik.

Me gradën diplomatike, Sekretare e Parë, Mehmeti është caktuar të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg të Francës.

Dje, gazeta ka raportuar se Hashim Sahiti, vëllai i ish-kandidates së Lëvizjes Vetëvendosjes, Samire Sahiti, ka marrë pozitë të rëndësishme diplomatike në Ambasadën e Kosovës në Doha të Katarit.

Të martën, gazeta ka treguar se ish-anëtari i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, Njazi Ajvazi, është emëruar në pozitën e Sekretarit të Dytë në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës.

Ditë më parë, gazeta ka raportuar se Rina Dragidella, mbesa e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është emëruar në pozitën e Sekretares së Dytë në Ambasadën e Kosovës në Uashington.

Pozitë të rëndësishme diplomatike ka marrë edhe Fitore Dalipi, vajza e axhës së Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.

Ajo është emëruar Sekretare e Dytë në Ambasadën e Kosovës në Berlin.

Gjithashtu, Vera Rexhepi Leci, është emëruar konsulle e Kosovës në IOËA të ShBA-së.

Vera Rexhepi Leci është bashkëshortja e Burim Lecit, bashkëpunëtorit të Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të Kurtit.

TË FUNDIT

TË FUNDIT