spot_img
spot_img

Kreu i Pensionistëve: Jemi të diskriminuar dhe shumë të zhgënjyer nga Qeveria

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati për “Front Online” ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me nivelin aktual të pensioneve, duke thënë se shumat që marrin pensionistët nuk i mbulojnë as nevojat më elementare për jetesë.

Kjo pakënaqësi vjen edhe pas prezantimit të Projektbuxhetit për vitin 2027 nga Qeveria e Kosovës, ku u paralajmëruan rritje të koeficientit të pagave dhe të shtesave për fëmijë, por nuk u prezantua ndonjë masë e re konkrete për rritjen e pensioneve.

“Pensionet janë shumë të ulëta. Një shumë simbolike nuk mund të quhet pension, por asistencë. Pension duhet të jetë ai që i mbulon nevojat esenciale, e ky pension nuk i mbulon as nevojat minimale, as shujtjet ditore, e mos të flasim për barna e shërbime të tjera”, ka deklaruar Kastrati.

Ai e ka cilësuar gjendjen e pensionistëve si tejet zhgënjyese, duke thënë se kjo kategori po ndihet e diskriminuar.

“Është shumë dekurajuese kjo çka po u ndodh pensionistëve, një zhgënjim total. Jemi të diskriminuar”, është shprehur ai.

Kastrati ka bërë të ditur se përfaqësuesit e pensionistëve u janë drejtuar me kërkesa për takim institucioneve por vetëm nga një ka marr përgjigje.

“Kemi bërë kërkesë te kryeministri, presidentja, kryekuvendari dhe ministri i Çështjeve Sociale. Tash për tash kam një përgjigje nga ministri Andin Hoti, i cili ka shprehur dëshirën që të na pranojë për t’i shqyrtuar kërkesat tona. I vetmi ky që na ka pranuar deri tani”, ka thënë Kastrati.

Ai ka theksuar se kërkesa kryesore e pensionistëve është që pensionet të rriten.

“Kërkesa jonë është rritja e pensionit krahas rritjes ekonomike dhe rritjes së pagave”, ka përfunduar Kastrati.

TË FUNDIT

TË FUNDIT