Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për ngacmim seksual të vajzës së tij 13-vjeçare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti është duke u hetuar për veprat penale “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve” dhe “Sulmi seksual”.
Rasti ishte raportuar më 2 nëntor, pas denoncimit të vajzës së mitur, e cila, sipas raportimeve të mediave, kishte deklaruar se babai i saj e kishte ngacmuar seksualisht dhe i kishte shfaqur materiale pornografike.
Pas denoncimit, policia kishte kontrolluar banesën e të dyshuarit, ku kishte sekuestruar dy telefona celularë dhe një laptop.
I dyshuari ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa vajza është vendosur në strehim të sigurt, nën përkujdesjen e institucioneve kompetente.
Kërkesa për paraburgim tashmë i është drejtuar gjykatës, e cila do të vendosë për masën ndaj të dyshuarit.




