spot_img
spot_img

Kurti pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Drejtësinë e kemi të shtrembër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë kohë për t’ia dorëzuar raportin për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.

Kurti tha se raporti duhet të sqarojë deri në fund se ku kanë dështuar institucionet përgjegjëse në këtë rast, por edhe të shqyrtojë situatën me rastet e tjera të ngjashme të dhunës ndaj grave në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

Ai theksoi se raportet e Bashkimit Evropian ndër vite e kanë kritikuar Kosovën kryesisht për sistemin e drejtësisë, duke shtuar se përmirësimi i tij tashmë duhet të trajtohet si çështje urgjente.

“Raportet për vendin të Bashkimit Evropian më së shumti na kanë kritikuar për çështjen e sistemit të drejtësisë. Nga viti në vit. Neve na duhet ta drejtojmë drejtësinë, të nderuar gazetarë, drejtësi nuk e kemi të drejtë. Për të mos thënë drejtësinë, e kemi të shtrembër. Kemi nevojë ta drejtojmë drejtësinë”, deklaroi Kurti.

Kreu i Qeverisë tha se funksionimi i drejtësisë nënkupton hetime nga hetuesit, ngritje të aktakuzave nga prokurorët dhe gjykime nga gjykatësit.

“Kjo do të thotë: edhe hetim hetuesve, edhe aktakuza prokurorëve, edhe gjykime gjykatës. Dhe këtë, nëse e kemi konsideruar deri më tani të rëndësishme, tash duhet ta konsiderojmë urgjente”, u shpreh ai.

Kurti bëri të ditur se dy ministritë kanë afat edhe 54 orë për t’ia dorëzuar raportin, i cili duhet të identifikojë përgjegjësitë institucionale dhe të japë përgjigje për mënyrën se si janë trajtuar rastet e ngjashme.

“Në këtë frymë, Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë i kanë edhe 54 orë që të ma sjellin raportin për të ndriçuar këtë rast deri në fund. Edhe ku kanë dështuar, secila prej hallkave të zinxhirit institucional, por edhe çka po ndodh me të gjitha rastet e ngjashme”, tha Kurti.

Ai paralajmëroi se në Kosovë ka shumë raste kur gratë që janë viktima të dhunës vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga personat që i kanë kërcënuar më parë, por edhe nga kërcënues të rinj.

“Sepse ju e dini, që ka shumë raste anembanë Kosovës ku gra të caktuara të cilat janë viktima të dhunës, vazhdojnë të jenë nën rrezikun e kërcënuesve të vjetër e të ri. Prandaj është e domosdoshme që t’i mbrojmë që të gjitha ato”, përfundoi Kurti.

TË FUNDIT

TË FUNDIT