Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), pas problemeve me funksionimin e blloqeve të termocentraleve.
Përmes një postimi në Facebook, Sadiku ka deklaruar se, derisa po jepen arsyetime për mosfunksionimin e blloqeve B1 dhe B2, nga funksioni ka dalë edhe blloku A3.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së djeshme janë shpenzuar mbi dy milionë euro për importimin e energjisë elektrike.
“Derisa po arsyetohen për mosfunksionimin e blloqeve B1 dhe B2, paska ra edhe blloku A3. Domethanë, mbi 2 MILIONË EURO i kemi shpenzu dje për import të rrymës”, ka shkruar Sadiku.
Deputeti opozitar ka akuzuar përgjegjësit për keqmenaxhim, duke paralajmëruar pasoja për KEK-un, buxhetin e shtetit dhe qytetarët.
“Mos u nalni, amatera! Derisa ta shkatërroni krejt. KEK-un, buxhetin, shtetin. E faturën, si gjithmonë, e paguajnë qytetarët”, ka shkruar ai.
Pretendimet e Sadikut për shumën e shpenzuar për importin e energjisë dhe gjendjen e blloqeve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.




