Një mosmarrëveshje verbale mes tre personave në fshatin Oshlan të Vushtrrisë ka përfunduar me përleshje fizike dhe ndërhyrjen e Policisë. Në mesin e të përfshirëve është edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili në momentin e incidentit ishte jashtë detyrës zyrtare.
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 23 tetor 2026, rreth orës 19:20, në rrugën “Arsim Brahimi”, në fshatin Oshlan.
Policia është njoftuar për një rrahje mes disa personave, me ç’rast një njësi patrulluese është dërguar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Në lokacion janë hasur personat e përfshirë në incident, të cilët janë shoqëruar në Stacionin Policor për intervistim.
Nga informacionet fillestare rezulton se gjithçka kishte nisur me një mosmarrëveshje verbale mes tre personave, e cila më pas kishte eskaluar në përleshje fizike.
Si pasojë e incidentit, njëri nga personat e përfshirë ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Në kuadër të trajtimit të rastit është evidentuar edhe dëshmitari F.B., rreth 51-vjeçar.
Pas intervistimit të palëve dhe konsultimit me Prokurorinë, rasti është ndarë në dy vepra penale.
Ndaj pjesëtarit të FSK-së, A.B., dhe A. B. është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa ndaj L. B. iniciuar rasti për veprën penale “Sulmi”.
Të tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Rrethanat që çuan deri te përleshja mbeten pjesë e hetimeve./Sinjali
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.




