Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kthimit të Ligjit për Specialen në Kuvend.
Ajo ka bërë me dije se linqimi që iu bë LDK-së për mosvoitmin e këtij ligji ka qenë e papranueshme.
“Mbrojtjen e luftës çlirimtare e kemi bërë e do ta bëjmë në çdo cep të botës. UÇK-ja është krenari kombëtare, jo instrument linçimi politik. Ajo meriton nderim të përhershëm sepse ishte betimi i përgjakur i një populli që sakrifikoi gjithçka për liri. Por ne nuk e matim drejtësinë e qëndrimeve tona me duartrokitjet e turmës, as me intensitetin e sulmeve. Me kthimin e ligjit propaganda mbeti pa argumente. Për të mbuluar të vërtetën, u zgjodh linçimi politik kundër LDK-së, partisë që i vuri themelet e lirisë, pavarësisë e demokracisë.”, ka shkruar ajo.
Më pas, ajo ka dhënë një konstatim të çuditshëm.
Sipas saj, Adem Jashari ishte komandant i UÇK-së, kurse Ibrahim Rugova ishte komandantin Suprem i luftës çlirimtare.
“Partinë e Ibrahim Rugovës e barazuat me Listën Serbe, me grupin kriminal që kreu agresion ndaj Kosovës, e madje na akuzuat se e urrejmë UÇK-në. Por mos e ngatërroni mbrojtjen e luftës me monopolizimin e saj. Nëse ka një të vërtetë që duhet ta kujtojmë gjithmonë, është kjo: krenaria jonë më e madhe është një histori që bashkon Adem Jasharin, Komandantin e UÇK-së, me Ibrahim Rugovën, Komandantin Suprem të luftës sonë çlirimtare. Secili në rrugën e vet, i shërbyen idealit të lirisë së Kosovës. Kjo është historia jonë. E përbashkët! E shenjtë! Dhe atë askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë”, ka shkruar ajo.




