Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve ushqimore po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetin e familjeve në Kosovë.
Së fundmi, shtrenjtimi ka prekur edhe vezët, ku një paketim me 30 copë tashmë kushton nga 3.70 deri në 4 euro, krahasuar me 3.50 euro sa kushtonte para dy muajsh.
Derisa disa qytetarë e konsiderojnë çmimin të arsyeshëm në raport me vlerën ushqyese të këtij produkti, të tjerë shprehen të shqetësuar përballë pagave të ulëta dhe kostos së lartë të jetesës, duke kërkuar uljen e çmimeve.
Qytetari Ragip Rugova ka vlerësuar se çmimi i vezëve nuk është i shtrenjtë, duke marrë për bazë vlerën ushqyese të tyre dhe mundësinë për të përgatitur një shujtë me pak shpenzime.
“Tek vezët për shembull, konkretisht e shikon 4 euro, një tabëll me 30 copa i bjen rreth 13 cent një vezë mos jam gabim, tek ne përgjithsi është, dy vezë janë sikur një farë numri që e kënaq një porcion që është pak dorën në zemer, po për për standardet tona, për kushtet tona, po edhe katër po të jenë, domethënë, bëhet fjalë diku rreth 50 centë, ju me 50 centë po e bëni me, po e bëni një, një shujtë të mirë, e bollshme, se vezët janë të fuqishme, sikur produkt ushqimor. Kështu që unë nuk mendoj që janë të shtrejta për ata që s’ka, çdo gjë është e shtrejtë është e tepërt me fol për atë”, shtoi Ragipi.
Rugova ka thënë se shumica e produkteve ushqimore që konsumohen në Kosovë vijnë nga importi, duek shtuar se për t’i pasur produktet ushqimore më të lira, duhet të stimulohet prodhimi vendor.
“Sepse, shumica e artikujve tonë që i konsumojmë, ushqimet domethënë, kanë një prejardhje nga importi, apo jo? Ne që dëshirojmë t’i shohim më të lira, hajde ta ekonomizojmë, ta stimulojmë prodhimin vendor. Por edhe atëherë nuk do të kemi kush e di sa më të lira, sepse komponenti domethënë i kalkulimit të produktit është kryesisht, është energjia, është komponent importi edhe nuk ka me ndiku kush e di sa e sa”, tha Rugova për Ekonomia Online.
Ndërsa, qytetari tjetër Shemsi Berisha , i cili sapo kishte blerë vezë fshati për 5 euro e 25 centë, tha se i blen ato shumë rrallë, duke theksuar se ky çmim është i kushtueshëm për qytetarët e tjerë, të cilët kanë mundësi më të kufizuara ekonomike.
“20 vezë kushtojnë 5 euro e 25 centë. Për mua nuk përbën problem, sepse blej rrallë, por për qytetarët është e kushtueshme”, tha Berisha.
Kurse, qytetarja Arife Ramadani i ka cilësuar çmimet si shumë të shtrenjta, veçanërisht në Prishtinë.
Ajo ka theksuar se çmimet duhet të ulen, pasi pagat nuk janë të larta dhe nuk përputhen me shpenzimet e qytetarëve.




