Komisioni për Shëndetësi miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Projektligji mori mbështetjen e gjashtë anëtarëve të komisionit, ndërsa tre të tjerë abstenuan. Asnjë anëtar nuk votoi kundër.
Gjatë diskutimit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli, shpjegoi se ndryshimet buxhetore përfshijnë mjete shtesë për pagën e 13-të në sektorin publik, përfshirë profesionistët shëndetësorë, si dhe pagesat për përvojën e punës.
“Çështja për të cilën po flasim është një plotësim-ndryshim me një gjenezë siç e keni edhe ju, ligji numër 10-N-2001, që megjithatë e prek edhe sektorin e shëndetësisë, siç është gjithë sektori tjetër sepse po flasim për 102 milionë euro shtesë që kanë ndikuar në kodin 28900 për pagën e 13-të në sektorin publik, e që do të angazhojnë profesionistë shëndetësorë, siç janë angazhuar vitin e kaluar, edhe po ashtu do të paguhet shtesa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me shtesën në pagë në lidhje me përvojën e punës, 0.5% në vit, dhe do të paguhet në mënyrë retroaktive edhe për pjesën që nuk është paguar”, tha ai, raporton EO.
Në mbledhje u diskutua edhe nevoja që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të raportojë para komisionit për çështjet që lidhen me sektorin shëndetësor.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, vlerësoi se raportimi i ministrit është i nevojshëm për t’i trajtuar kërkesat dhe shqetësimet e ngritura nga anëtarët e komisionit. Ajo përmendi në veçanti sigurimet shëndetësore dhe temat e tjera që pritet të diskutohen.
“E di, e di, po du me u lidhë në çështjen që e ngriti Albana, është pika e katërt, unë do ta shoh që duhet ta kemi në raportim ministrin. Është e paraparë në një vizitë, në fakt ftesë e komisionit të raportojë në muajin nëntor, kështu që kjo kishte me qenë një pikë që kërkesat me i adresu, shprehur edhe për çështjet, çështja e ligjit për sigurime shëndetësore edhe çështjet e tjera që do t’i diskutojmë pikën e parë. Nuk po e shoh që është e paraparë në nëntor”, tha Deliu-Kodra.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Naim Bardiqi, theksoi se Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë në ndryshimet e ligjit buxhetor. Ai ka përmendur sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, furnizimin me produkte shëndetësore dhe shërbimet farmaceutike, si dhe investimet e planifikuara për vitet e ardhshme.
“Lidhur me ligjin për sigurimin e detyrueshëm për kujdesin shëndetësor, por edhe furnizimin me produkte shëndetësore, shërbimet farmaceutike, kujdesin parësor shëndetësor edhe të tjera, edhe Ministria e Shëndetësisë, vetë janë pjesë e ligjit tonë buxhetor, dhe janë po ashtu edhe investimet gjithashtu edhe lidhja e taksave për shëndetësi është paraparë në projeksionet, respektivisht të aprovuar për nisjen apo për shpenzimet për vitet në vijim”, tha Bardiqi.



