Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti për situatën ekonomike në vend, duke thënë se Kosova vazhdon të përballet me inflacion të lartë dhe shtrenjtim të vazhdueshëm të jetesës.
Sipas Sadikut, në muajin shtator inflacioni në Kosovë ka arritur në 7.8 për qind, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila, sipas tij, është 3.2 për qind.
Ai ka vlerësuar se rritja e çmimeve po ua rëndon jetën qytetarëve, ndërsa fuqia e tyre blerëse po dobësohet. Kritikën e tij e ka drejtuar edhe ndaj pakove kundër inflacionit të prezantuara nga Qeveria, për të cilat thotë se nuk kanë sjellë rezultatet e premtuara.
Sadiku pretendon se këto masa kanë shërbyer më shumë për përfitime politike sesa për zgjidhjen e problemeve ekonomike të qytetarëve.
Sipas deputetit të LDK-së, pasojat e politikave ekonomike nuk i bartin politikanët, por qytetarët, të cilët përballen çdo ditë me fatura më të larta të energjisë elektrike, çmime të rritura të karburanteve, ushqimeve dhe shërbimeve të tjera.
Ai ka theksuar se koston e këtyre politikave qytetarët po e paguajnë drejtpërdrejt nga xhepi i tyre.




