Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin e 27 tonëve misër nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar nivel të aflatoksinës mbi kufirin e lejuar.
Sipas njoftimit, në ngarkesën prej 27 mijë kilogramësh misër merkantil, të importuar nga operatori ekonomik “IDEAL GROUP” SH.P.K., është konstatuar prania e aflatoksinës në nivelin prej 33 mikrogramësh për kilogram, ndërsa kufiri i lejuar është 20 mikrogramë për kilogram.
Rezultati është konfirmuar edhe përmes superanalizës së realizuar nga laboratori referent në Austri.
Pas konstatimit të tejkalimit të kufirit të lejuar, AUV-ja ka nxjerrë vendim për refuzimin e importit dhe ka urdhëruar kthimin e të gjithë sasisë së misrit në vendin e origjinës.
Agjencia ka bërë të ditur se kontrollet e intensifikuara të importeve do të vazhdojnë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të hyrjes në tregun e Kosovës të produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.



