Deputeti Lazar Radulloviq, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ka bërë akuza të rënda në Kuvendin e Kosovës ndaj Listës Serbe, duke thënë se kjo parti ka tentuar ta pengojë zgjedhjen e tij si deputet dhe ta frikësojë përmes presioneve dhe sulmeve.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Raduloviq tha se u kishte borxh një përgjigje deputetëve të Listës Serbe, të cilët, sipas tij, gjatë procesit zgjedhor ishin ankuar në Gjykatën Supreme me qëllim që të kontestonin kandidaturën e tij.
Ai rikujtoi edhe një rast nga mandatet e kaluara, kur, sipas tij, një deputet i partisë së Nenad Rashiqit kishte kaluar në Listën Serbe vetëm pak ditë pas ardhjes në Kuvend. Raduloviq pretendoi se deputeti në fjalë ishte joshur dhe paguar për të ndryshuar subjekt politik.
“Problemi i Listës Serbe është që mua nuk mund të më blejnë, e as të më frikësojnë”, deklaroi Radulloviq.
Deputeti serb tha se gjatë kohëve të fundit kishte pasur probleme, përfshirë sulme fizike dhe shpërthimin e gomave të veturës së tij.
Ai deklaroi se këto veprime nuk do ta detyrojnë të largohet nga pozita e tij në Kuvend, duke përdorur edhe një gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
“E vetmja mënyrë që të më largoni nga ky vend është që të më gjuani me armë. Mënyra tjera nuk ka që mund të ma merrni vendin që e kam në këtë Kuvend”, u shpreh ai.
Radulloviq akuzoi gjithashtu Listën Serbe se vepron nën ndikimin e Beogradit, ndërsa organizatën e cilësoi kriminale.
“Ju nuk po ju them juve, sepse ju jeni pionë që jeni të ulur këtu dhe i merrni porositë nga Beogradi, por organizata juaj kriminale është e gatshme për gjithçka”, deklaroi Radulloviq.
Në fund të fjalimit, ai theksoi se nuk do të frikësohet nga presionet që pretendon se po përjeton.
The GeoPost




