Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar sot familjen e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, i cili ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi të Presidentes me djalin e tij, Gegën, nipin e Jakup Krasniqit.
“Gega me Presidenten”, ka shkruar fillimisht Krasniqi krahas fotografisë.
Ai ka falënderuar Presidenten për vizitën, duke bërë të ditur se familja i ka uruar suksese në detyrën e saj të re.
“Presidentja na nderoi sot me praninë e saj. Me këtë rast, i uruam punë të mbarë dhe suksese në misionin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Altin Krasniqi.
Në reagimin e tij, Krasniqi ka theksuar gjithashtu rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit në këtë periudhë, duke përmendur edhe përpjekjet ligjore për kthimin në Kosovë të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Në këto ditë të vështira, jo vetëm për ne si familje, por edhe për shtetin tonë, na duhet unitet, solidaritet dhe përkushtim i palëkundur në betejat ligjore në përpjekjet për rikthimin në atdhe të çlirimtarëve tanë”, ka përfunduar Krasniqi




