Shaip Kamberi nga Koalicioni Shqiptar ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës lidhur me fondet që Serbia ndan për serbët në Kosovë, duke e krahasuar këtë me bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka rikujtuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili më 13 shtator 2022, në Kuvendin e Serbisë, kishte deklaruar se Serbia ndan çdo vit nga 700 deri në 820 milionë euro për Kosovën.
Sipas Kamberit, nuk është sqaruar plotësisht se ku përfundojnë këto mjete, kush i përfiton dhe kush e kontrollon shpenzimin e tyre.
Ai ka theksuar se, nëse vlerësimet për fondet që kalojnë përmes Zyrës për Kosovën dhe ministrive të tjera serbe janë të sakta, mbetet e paqartë se ku përfundojnë pjesa tjetër e parave.
Në anën tjetër, Kamberi ka pretenduar se pushteti serb po bllokon mjetet që Kosova ka ndarë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas tij, bëhet fjalë për 129 projekte dhe katër programe, përfshirë furnizimin me libra falas, praktikën profesionale, funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe avokimin.
Kamberi ka kërkuar transparencë për çdo euro të fondeve publike dhe zhbllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Të drejtat e pakicave nuk mund të varen nga interesat politike të pushtetit”, ka shkruar ai.




