UEFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës për shkeljet e bëra në ndeshjen mes Austrisë dhe Kosovës, të zhvilluar në Vjenë më 27 shtator.
Vendimi i Trupit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s është publikuar të premten pasdite.
Atë ndeshje të Ligës së Kombeve e fitoi Austria me rezultatin 3:1, ndërsa ndaj FFK-së ishin dy akuza. E para kishte të bënte me transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për ngjarjet sportive dhe e dyta për sjellje raciste apo diskriminuese.
Dhe për të dy akuzat FFK-ja është shpallur fajtore.
“Federata e Futbollit e Kosovës gjobitet me 15 mijë euro për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive”, shkruan në vendim.
Por ky nuk është dënimi i vetëm.
“Federata e Futbollit e Kosovës gjobitet me 20 mijë euro dhe vendosjen e një mase kufizuese të plotë për shitjen e biletave për tifozët e saj për një ndeshje si mysafire, në kuadër të garave të ekipeve përfaqësuese të UEFA-s, për shkak të sjelljes raciste ose diskriminuese të tifozëve të saj”.
Kufizimi për shitje të biletave për ndeshjen e Kosovës si mysafire është me kusht, për periudhë dyvjeçare.
Në Vjenë, Kosova kishte përkrahje të madhe nga tribunat. Ka pasur thirrje dhe banerë të ndryshëm në përkrahje të Kosovës. Dhe UEFA ka vlerësuar se janë shkelur rregulloret e saj./koha.net




