Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se më 15 shtator 2026 është regjistruar rasti i parë i vdekjes së një pacienti të diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV).
Sipas njoftimit të Klinikës Infektive, pacienti Rr. I., i lindur më 2 maj 1960, ishte hospitalizuar më 10 shtator në gjendje të rëndë klinike, me diagnozën meningoencephalitis acuta.
Para hospitalizimit, pacienti ishte trajtuar në mënyrë ambulatore për pesë ditë. Në ditën e pranimit në Klinikën Infektive, atij iu kryen ekzaminimet e nevojshme diagnostikuese dhe iu iniciua menjëherë trajtimi, në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore.
Në kuadër të ekzaminimeve laboratorike, pacientit iu realizua edhe analiza RT-PCR për Virusin e Nilit Perëndimor, e cila rezultoi pozitive.
QKUK-ja ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e pacientit vazhdoi të ishte tejet e rëndë, duke kërkuar trajtim intensiv.
“Gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë të gjitha masat dhe procedurat e nevojshme mjekësore, si dhe është vazhduar trajtimi medikamentoz konform gjendjes klinike”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor dhe trajtimit të ofruar, pacienti ka vdekur në orën 08:40 të datës 15 shtator 2026.
Ky është rasti i parë i vdekjes së një pacienti të diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor, të cilin QKUK-ja e ka konfirmuar përmes njoftimit të Klinikës Infektive.



