Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur një draft-deklaratë lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kuvendi shpreh “indinjatën e thellë” dhe “mosdakordësinë e plotë” me vendimin, të cilin e konsideron “thellësisht të padrejtë” ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në deklaratë ritheksohet qëndrimi se lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe se ajo, sipas Kuvendit, ishte përgjigje ndaj represionit, dhunës, përndjekjes, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
“Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, thuhet në draft.
Sipas dokumentit, lufta e UÇK-së ishte “lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet”.
Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se pa luftën dhe sakrificën e UÇK-së kundër pushtimit serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet.
Në draft thuhet gjithashtu se UÇK-ja ishte “forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës” dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Sa i përket katër ish-krerëve të UÇK-së, në dokument thuhet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë “të pandashëm” nga historia e luftës për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë.
“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së”, thuhet në draft-deklaratë.
Shqipëria kritikon standardet e dyfishta
Kuvendi shpreh gjithashtu shqetësim për atë që e cilëson si “standarde të dyfishta” në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit.
Në draft përmenden nderimet publike dhe shtetërore ndaj personave të dënuar për krime lufte, si dhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, duke përmendur konkretisht ish-komandantin serb Ratko Mlladiq.
Sipas Kuvendit të Shqipërisë, këto veprime cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat evropiane.
Kuvendi shprehet gjithashtu kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht procesin në Hagë, si dhe për të relativizuar krimet e regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Në draft theksohet solidariteti i Shqipërisë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin dhe familjet e tyre.
“E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, thuhet në dokument.
Kërkohet ndjekja e të gjitha mjeteve juridike
Në deklaratë thuhet se aktgjykimi nuk duhet të konsiderohet si fjala e fundit dhe se duhet të ndiqen të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit.
“Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor”, thuhet në draft.
Kuvendi i Shqipërisë parasheh gjithashtu që në forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Millosheviqit në Kosovë, përfshirë ato që i cilëson si akte gjenocidale, krime lufte dhe dhunë seksuale gjatë luftës.
Në draft kërkohet drejtësi për viktimat dhe dënohet mungesa e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.
Kuvendi i Shqipërisë shpreh gatishmërinë për të koordinuar veprimet me Kuvendin e Kosovës dhe u bën thirrje të dyja qeverive që të koordinojnë veprimet “me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale”.




