Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim të përbashkët të martën, në ora 09:00.
Sipas thirrjes, takimi synon të kontribuojë në dialogun politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.
Thirrja e Haxhiut ndodh një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës hoqi dorë nga partneriteti potencial për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe bëri thirrje për kandidatura konsensuale për president. Këtë thirrje të LDK-së e ka mirëpritur të premten kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Edhe ai ka bërë thirrje që në tryezë për të diskutuar për figurë unifikuese të ulen edhe dy partitë tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.


