Një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë është arrestuar të premten nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ka njoftuar se arrestimi është realizuar në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, i arrestuari është A.G., gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të cilit po zhvillohen hetime për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
“Hetimi në këtë rast është zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme gjatë një periudhe disa mujore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria ka bërë të ditur se masa e arrestimit është ndërmarrë pas sigurimit të provave gjatë hetimit.
“Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”, thuhet më tej.




