Çmimet globale të naftës u rritën të martën, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani vendosën kushte të rrepta ndaj njëri-tjetrit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i çmimit të naftës, u rrit me 2% pak pas orës 05:30 sipas kohës së Lindjes në SHBA, duke arritur në 89 dollarë për fuçi. WTI, standardi amerikan, u rrit me 2.3%, në rreth 84 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Çmimet e Brentit kanë qenë të paqëndrueshme javët e fundit, por në përgjithësi janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i korrikut, kur ranë në nivelet e fundit të regjistruara para luftës, për shkak të optimizmit se bisedimet për paqe po përparonin.
Rritja e fundit e çmimeve vjen në një kohë kur mundësia për një marrëveshje mes Iranit dhe Omanit për rihapjen e ngushticës – përmes së cilës, para luftës, kalonte 20% e naftës së tregtuar në botë – po duket gjithnjë e më e largët.
Të shtunën, Teherani deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet të plotësojnë disa kushte përpara se Irani ta rihapë këtë rrugë ujore, përfshirë heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe pagesën e dëmshpërblimeve ndaj Iranit.
Edhe Presidenti Donald Trump e ka ashpërsuar qëndrimin lidhur me rihapjen e ngushticës, duke deklaruar të hënën se SHBA-ja kërkon kompensim nga Irani për veprimet e tij të mëparshme, përfshirë vrasjen e njerëzve gjatë konflikteve të paspecifikuara në të kaluarën.




