Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, duke e akuzuar Vetëvendosjen për dëmtim të rendit kushtetues dhe paralizim të institucioneve të Kosovës.
Deliu-Kodra e ka shpërndarë në rrjetet sociale deklarimin e Konjufcës, të cilit i është përgjigjur duke ngritur një sërë kritikash ndaj qeverisjes së Vetëvendosjes.
“Çka duhet të bëjë një armik i Kosovës për ta dëmtuar shtetin më shumë? Të shkelë Kushtetutën? Të shpërfillë Gjykatën Kushtetuese? Të paralizojë Kuvendin? Të mos respektojë Rregulloren e tij?”, ka shkruar ajo.
Sipas deputetes së PDK-së, të gjitha këto veprime, sipas saj, janë bërë nga Vetëvendosje brenda një muaji.
“Pas 48 orësh nga skadimi i afatit, tash është prekur edhe Rregullorja e Kuvendit”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Ajo ka vlerësuar se shkelja e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullave të Kuvendit nuk prek vetëm një institucion, por vetë rendin kushtetues të vendit.
“Kur shkelen Kushtetuta, vendimet e Gjykatës dhe rregullat e Kuvendit, nuk po dëmtohet vetëm një institucion. Po dëmtohet vetë rendi kushtetues. E kur rrënohen rregullat, rrënohen edhe themelet mbi të cilat qëndron shteti”, ka shkruar ajo.




