Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar për “Zërin” se ka nisur procesin gradual të ndryshimit të pranisë së përhershme në urën kryesore të Mitrovicës, duke e lidhur këtë vendim me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.
KFOR-i ka theksuar se procesi është gradual dhe i bazuar në kushte, ndërsa po koordinohet me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Në një përgjigje për Zeri.info, KFOR-it tha se, pavarësisht ndryshimit të pranisë në urë, misioni do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në jug dhe veri të Mitrovicës, si dhe në pjesët veriore të Kosovës.
“KFOR-i do të vazhdojë kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet”, thuhet në përgjigje.
KFOR-i ka bërë të ditur gjithashtu se personeli i tij është i pozicionuar në mënyrë që të mundë të reagojë ndaj çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në kuadër të këtij procesi, sipas KFOR-it, është informuar rregullisht edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, vijon të jetë në kontakt të ngushtë me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë. /Zëri




