1.2 C
Mitrovice
E hënë, 25 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Të ‘përkdhelurit’ e Isa Mustafës, që me çdo kusht i do ministra në Qeverinë Kurti!

Edhe pse lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk u pa shumë aktiv në fushatën elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit, megjithatë ai ende e ka fjalën e fundit për vendimet kryesore në parti.

Gazeta Blic nga burime brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë vesh se ai mbështetje po u jep disa emrave, që të jenë ministra në qeverinë e re.

Sipas këtyre burimeve, ndër më të preferuarit që të jetë pjesë e Qeverisë Kurti, është Avdullah Hoti, i cili njihet edhe njeriu më i besueshëm i Mustafës. Gjatë kohës sa Mustafa ishte kryetar i Prishtinës, Hoti mbante pozitën e nënkryetarit, ndërsa kur mbante pozitën e shefit të Qeverisë, Hoti e drejtonte një nga ministritë më të rëndësishme- atë të Financave.

Mustafa në zgjedhjet e vitit 2017, Avdullah Hotin e kishte nominuar edhe si kandidat për kryeministër nga radhët e Koalicionit LDK- AKR.

Pos Hotit, Isa Mustafa si të preferuar tjetër për ministër në qeverinë Kurti e ka Hykmete Bajramin, e cila gjatë qeverisë Mustafa mbante postin e ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë.

“Në “treshen” e preferuar të Isa Mustafës për ministër, është edhe një kuadër i Riinvestit, ku kishte aksione kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kryetari i partisë këta tre emra po i do me çdo kusht që të jenë pjesë e Qeverisë së re”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Ndërkohë, përpos këtyre tre emrave, si ministra të mundshëm nga LDK po përmendet edhe emri i Kujtim Shalës, i cili mund të jetë pjesë e qeverisë Kurti.

Shala, i cili mbante postin e zëvendëskryeministrit në qeverinë Mustafa, në zgjedhjet e fundit ishte renditur i dyti në Listën zgjedhore të LDK-së, menjëherë pas Vjosa Osmanit.

Në anën tjetër, merret vesh se Vjosa Osmani ende nuk është përcaktuar nëse do ta marrë postin e Ministrit të Jashtëm, apo të jetë kryetare e Kuvendit.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ka pasur përplasje ndërmjet LDK-së e VV-së për dikasteret e caktuara qeveritare.

Në një intervistë për media, kandidati për deputet i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla tha se kjo parti nuk do t’ia jap me asnjë kusht LDK-së Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme.

Sveçla ka thënë se të gjithë ata që e kanë keqpërdor buxhetin e Kosovës do ta paralizohen me ardhjen e qeverisë Kurti.Sipas Sveçles dy dikastere të rëndësishëm do ti takojnë partisë së tij.

“Qëndrimi i VV-së është që nuk do të kemi një qeveri të sulltanateve, siç ka ndodh më herët pasi do të jetë qeveria Kurti. Ministria e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme do ti takojnë VV-së, nëse do të fitonte LDK, do ti takonin asaj”, tha Sveçla.

Pas kësaj deklarate ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Veliu i tha GazetësBlic se bisedat e kushtëzuara nuk janë të shëndetshme.

“Nuk i kam dëgjuar këto deklarata, por nuk besoj se bisedat me kushte janë të shëndetshme në çfarëdo faze”, tha ai.

Veliu tha se bisedimet në mes LVV-së dhe LDK-së ende nuk kanë filluar në nivelin politik, por grupet janë duke punuar për harmonizim të programeve dhe se ka ende kohë për të biseduar për caktimin e ministrive.

“Çdo gjë është e hapur, ne ende nuk kemi fillu biseda tamam të nivelit politik, janë duke punuar grupet e ekspertëve për harmonizimin e programit, kur të kalojmë në atë fazë besojmë se do gjejmë zgjidhje”, shtoi ai për Gazetën Blic.

Marrëveshja ndërmjet LDk dhe VV për bashkëqeverisje mund të nënshkruhet në fillim të muajit nëntor pak ditë pasi pritet që KQZ të cerfitokoj rezultatat e dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT