Sot, Ferdonije Qerkezi shënon ditëlindjen e saj të 73-të, një datë që nuk mbart gëzim, por kujtime të rënda që koha nuk ka mundur t’i zbehë.
Në mendjen dhe shpirtin e saj, kjo ditë nuk lidhet me urime apo festë, por me kujtimin e djemve të saj, ditëlindjet e të cilëve kanë mbetur të vetmet data që ajo i rikthen vazhdimisht në heshtje, me mall dhe dhimbje të pashuar.
Jeta e saj u ndërpre në mënyrë të dhimbshme gjatë Luftës së fundit në Kosovë, kur humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, një humbje që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e jetës së saj, shkruan IndeksOnline.
Më 27 mars 1999, gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe ia rrëmbyen burrin (Halimin) dhe katër djemtë (Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin) nga shtëpia në Gjakovë. Eshtrat e dy djemve të saj janë gjetur dhe varrosur më vonë, ndërsa burri dhe dy djemtë e tjerë vazhdojnë të mbeten të zhdukur.
Shtëpia e saj në Gjakovë nuk është më vetëm një vendbanim. Ajo është shndërruar në një muze përkujtimor, ku çdo hapësirë mban peshën e mungesës dhe kujtimit, duke dëshmuar një histori që nuk është mbyllur ende.
E njohur si nëna e hekurt, Ferdonije Qerkezi është bërë simbol i një qëndrese të rrallë njerëzore, por edhe i një dhimbjeje që jeton çdo ditë me të, pa u zbehur.
Edhe në këtë ditëlindje, ajo nuk kërkon urime. Për të, kjo është një ditë e qetë, e rëndë, e mbushur me kujtime që nuk largohen kurrë.
Në heshtjen e shtëpisë së saj muze, koha duket sikur ndalet. Dhe brenda saj vazhdon të jetojë një pritje e pafund për përgjigje mbi të zhdukurit, një pritje që ende nuk ka marrë fund./IndeksOnline/





