29.9 C
Mitrovice
E enjte, 25 Qershor, 2026
spot_img
spot_img

Igballe Huduti shpallet “person non-grata” në Shqipëri, shkak lidhjet me regjimin iranian të ajatollahëve

Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 15-vjeçare, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar Hudutin si të infiltruar në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec.

Sipas vendimit, të transmetuar nga mediat në Shqipëri të enjten, masa është marrë mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga institucionet përgjegjëse, sipas të cilave veprimtaria e Hudutit vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin dhe sigurinë publike.

Urdhri i ministrit i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Autoritetet shqiptare pretendojnë se Huduti ka lidhje me regjimin iranian të ajatollahëve. Ajo gjithashtu është akuzuar për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri.

Po ashtu, sipas autoriteteve në Shqipëri, ajo është shfaqur publikisht pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad.

E Rama publikoi në Facebook foto të Hudutit ku pretendohet të jetë krah Ahmadinejadit, teksa e akuzoi se është përfshirë në protesta si e infiltruar.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinexhadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, ka shkruar Rama.

TË FUNDIT

TË FUNDIT