Ish-Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka folur sot në një mbledhje të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku është diskutuar raporti për Serbinë. Gola ka përgëzuar hartuesit e raportit, duke thënë se adresimi i vërejtjeve të cekura në të do ta ndihmonte Serbinë të demokratizohej.
Megjithatë, ai s’është pajtuar për mënyrën se si i janë referuar sulmit të Banjskas në raport. Gola ka thënë se përshkrimi i tij thjeshtë si një “përplasje” nuk është adekuat.
“Përtej vëmendjes së pamjaftueshme që raporti u kushton shkeljeve afatgjata të të drejtave të pakicave, veçanërisht komunitetit shqiptar në Serbi, dëshiroj të ndalem te sulmi famëkeq në Banjskë. Mendoj se gjuha e përdorur në raport nuk e pasqyron në mënyrë adekuate natyrën e këtij sulmi, duke e përshkruar atë thjesht si një përplasje ndërmjet policisë dhe personave të armatosur serbë”, ka thënë Gola, raporton Express.
Politikani kosovar ka dhënë dy shembuj se si Parlamenti Evropian dhe Ish-Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, i janë referuar sulmit të Banjskës.
“Në Rezolutën e tij për Banjskën, Parlamenti Evropian e përshkroi sulmin si vijon:“Një grup paramilitarësh serbë, të armatosur rëndë, kreu një sulm terrorist në veri të Kosovës.”Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e dënoi atë si një “sulm terrorist të tmerrshëm dhe frikacak kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës””, ka thënë Gola.
Gola ka përmendur edhe lidhjet e Milan Radojicic me presidentin serb, Aleksander Vucic.
“Ky sulm, zonja dhe zotërinj, zbulon disa të vërteta të pakëndshme për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi. Së pari, Serbia ende nuk e ka dëshmuar gatishmërinë e saj për të ndërtuar marrëdhënie normale, veçanërisht me Kosovën. Së dyti, në vend që të sigurojë llogaridhënie, ajo vazhdon t’i mbrojë përgjegjësit, siç dëshmohet nga fakti se Radoiçiq vazhdon të jetojë i lirë dhe nën mbrojtje në Serbi. Në këtë mënyrë, Serbia është shndërruar në shkelëse të vetë vlerave që Këshilli i Evropës është themeluar për t’i mbrojtur dhe promovuar.Prandaj, nëse synimi ynë është ta ndihmojmë Serbinë të demokratizohet, nuk duhet t’i zbusim apo t’i fshehim faktet e pakëndshme përmes një gjuhe neutralizuese. Prova e vërtetë e një shteti nuk është mënyra se si i përqafon të vërtetat e rehatshme, por mënyra se si përballet me të vërtetat e pakëndshme. Dhe Banjska është një e vërtetë e tillë me të cilën Serbia, herët a vonë, do të duhet të përballet”, ka thënë Gola.





