Teksa Qeveria e Kosovës promovon projekte infrastrukturore dhe procedon tenderë të mëdhenj, përfshirë edhe projektin e urave që opozita e konsideron me prapavijë elektorale, në institucionin më të madh shëndetësor në vend vazhdojnë të raportohen mungesa të pajisjeve bazike mjekësore.
Sipas raportimeve, deri të shtunën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë munguar penjtë kirurgjikë, një problem që thuhet se ka vazhduar prej muajsh. Kjo situatë ka nxitur kritika të ashpra ndaj institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e sistemit shëndetësor.
Gazetarja Saranda Raman ka shtruar pyetjen se si është e mundur që në një periudhë kur Kosova ka buxhetin më të madh ndonjëherë për sektorin e shëndetësisë, spitalet të përballen me mungesa të materialeve elementare të nevojshme për ndërhyrje kirurgjikale.
“Miliona euro për tenderë e projekte që promovohen me bujë, por në QKUK mungojnë edhe penjtë kirurgjikë”, ka shkruar Ramaj.




