25.2 C
Mitrovice
E martë, 16 Qershor, 2026
spot_img
spot_img

BSPK kërkon të ndërpritet puna nga ora 11:00 deri në 17:00 në ndërtimtari: Vapa po rrezikon punëtorët

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka bërë thirrje për ndërmarrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve të ndërtimtarisë dhe punonjësve të sektorit publik gjatë valës aktuale të të nxehtit, duke paralajmëruar se temperaturat e larta po rrisin ndjeshëm rrezikun për aksidente dhe pasoja fatale në vendet e punës.

Sipas BSPK-së, sektori i ndërtimit vazhdon të jetë sektori me numrin më të madh të aksidenteve dhe vdekjeve në punë në Kosovë. Të dhënat e Inspektoratit të Punës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë identifikuar 602 raste lëndimesh në vendin e punës, ndërsa 33 për qind e tyre kanë ndodhur pikërisht në sektorin e ndërtimtarisë, transmeton Klankosova.tv.

Sindikata thekson se mbi 170 punëtorë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës që nga viti 2018, ndërsa viti 2025 është shënuar si viti me numrin më të lartë të viktimave. Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, tre punëtorë humbën jetën në kantiere ndërtimi, dy në Gjakovë dhe një në Pejë, gjatë periudhës kur temperaturat ishin jashtëzakonisht të larta.

BSPK vlerëson se kapacitetet mbikëqyrëse të institucioneve janë të pamjaftueshme për të garantuar sigurinë në punë. Sipas saj, në të gjithë Kosovën operojnë vetëm 53 inspektorë pune, numër që konsiderohet i pamjaftueshëm për mbikëqyrjen e më shumë se 1.000 kantiereve aktive dhe mijëra vendeve të tjera të punës.

Vetëm gjatë vitit 2024 janë lëshuar mbi 1.019 leje ndërtimi, ndërsa edhe vetë Kryeinspektori i Punës ka pranuar se numri aktual i inspektorëve nuk i përgjigjet nevojave reale të tregut të punës”, thuhet në njoftim.

Sindikata rikujton se institucionet kanë vepruar edhe më herët në situata të ngjashme. Në korrik të vitit 2024, Ministria e Shëndetësisë kishte urdhëruar ndërprerjen e punës në sektorin e ndërtimtarisë nga ora 11:00 deri në 17:00, për shkak të temperaturave që kishin tejkaluar 36 gradë Celsius. BSPK kërkon që masa të ngjashme të zbatohen edhe këtë verë, duke përfshirë sigurimin e ujit të pijshëm, vendeve me hije, pushimeve të rregullta dhe ndërprerjen e punës gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Përveç sektorit privat, BSPK ngre shqetësime edhe për kushtet e punës në institucionet publike. Sipas sindikatës, janë pranuar ankesa nga punonjës të administratës publike dhe institucioneve shtetërore për mungesë ventilimi, sisteme klimatizimi jofunksionale ose të pamjaftueshme dhe ambiente të papërshtatshme pune gjatë temperaturave të larta.

E drejta për kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune duhet të garantohet në çdo vend pune, përfshirë institucionet publike”, thuhet në reagimin e BSPK-së.

Në fund, sindikata u ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin e zbatimit të masave mbrojtëse në të gjitha vendet e punës.

BSPK ka ftuar gjithashtu punëtorët që ndihen të rrezikuar nga kushtet e punës të kontaktojnë sindikatën për mbështetje dhe raportim të rasteve.

Siguria dhe shëndeti në punë nuk duhet të bëhen temë vetëm pasi të ndodhë tragjedia. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të punëtorëve duhet të jetë prioritet i përhershëm i institucioneve dhe punëdhënësve”, thuhet në reagim. /klankosova.tv

TË FUNDIT

TË FUNDIT