Anijet kanë nisur gradualisht të rikthehen në lundrim përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
Sipas raportimit të “Euronews”, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ngushtica pritet të jetë “plotësisht e hapur” deri të premten, duke theksuar se anijet tashmë kanë filluar të kalojnë dhe të transportojnë naftë nga rajoni.
Mediat iraniane raportojnë se disa cisterna nafte dhe anije mallrash kanë lundruar sërish nëpër këtë rrugë detare, e cila deri vonë ishte ndikuar nga bllokadat dhe tensionet në rajon.
Megjithatë, mbeten paqartësi lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e ardhshëm të këtij korridori strategjik. Sipas agjencisë iraniane Fars, marrëveshja e arritur parashikon që Ngushtica e Hormuzit të administrohet në mënyrë të përbashkët nga Iran dhe Oman.
Ngushtica e Hormuzit, e cila në pjesën më të ngushtë të saj ka vetëm 38 kilometra gjerësi, konsiderohet një arterie jetike për ekonominë globale, pasi përmes saj transportohet afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.
Ndërkohë, Institute for the Study of War (ISW) ka vlerësuar se SHBA-ja dhe Irani po japin interpretime të ndryshme të marrëveshjes, duke e bërë ende të paqartë versionin përfundimtar të saj. Sipas institutit, nëse marrëveshja zbatohet sipas interpretimit iranian, ajo mund të përfaqësojë një fitore të rëndësishme strategjike për Teheranin.
Marrëveshja përfshin gjithashtu çështje të tjera të ndjeshme, si lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, vazhdimin e negociatave për programin bërthamor të Iranit dhe përfshirjen e inspektorëve amerikanë dhe të International Atomic Energy Agency në procesin e monitorimit.
Megjithëse të dyja palët e kanë paraqitur marrëveshjen si një hap drejt uljes së tensioneve dhe forcimit të stabilitetit, zyrtarët iranianë kanë shprehur rezervat e tyre, duke kujtuar se marrëveshje të mëparshme, sipas tyre, nuk janë zbatuar në tërësi.



