16.3 C
Mitrovice
E hënë, 15 Qershor, 2026
spot_img
spot_img

Endrit Shala u dënua me dy vjet burgim se favorizoi biznesin e baxhanakut

Ish-ministri i Tregtisë e Industrisë, Endrit Shala, është dënuar me dy vjet burgim për konflikt interesi nga shkalla e parë gjyqësore. Prokuroria Speciale e ka quajtur aktgjykimin rezultat të rëndësishëm, e mbrojtja ka vlerësuar se favorizimi i baxhanakut ligjërisht nuk përbën konflikt interesi.

Dy vjet dënim me burgim është aktgjykimi dënues i shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë për ish-ministrin e Industrisë dhe Tregtisë, Endrit Shala.

Prokuroria Speciale e akuzon Shalën për keqpërdorim të detyrës zyrtare meqë ai ka miratuar një vendim që sipas aktakuzës, i ka bërë favor baxhanakut, duke i mundësuar atij përfitim të kundërligjshëm.

Trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Namani-Hajra ka thënë se Shalës i është ricilësuar vepra penale nga “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” “Konflikt interesi”.

Sipas saj, vendimi do të ekzekutohet kur të bëhet i formës së prerë.

“Gjykata, pas vlerësimit të provave personale dhe materiale të të pandehurit vlerësoi se në veprimet e të pandehurit Endrit Shala nuk përmbushet figura e veprës penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, por pas administrimit të provave personale dhe materiale gjykata vlerësoi se në veprimet e të pandehurit Endrit Shala, manifestohen elementet e veprës penale konflikt interesi nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Namani-Hajra.

Prokuroria Speciale e ka përshëndetur dënimin e ish-ministrit.

“PSRK-ja e konsideron aktgjykimin dënues të shqiptuar ndaj E. Sh. si një rezultat të rëndësishëm të funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe të përpjekjeve institucionale për forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Por, mbrojtja e ka konsideruar që korniza ligjore nuk e parasheh baxhanakun si kategori me të cilën llogaritet se personi me autorizime publike mund të ketë konflikt interesi.

“Çështja e Endrit Shalës nuk ngre dilema të ndërlikuara faktike. Thelbi i saj është thjesht juridik dhe pikërisht për këtë arsye shqetësues. Neni 417, paragrafi 6 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës ka përcaktuar në mënyrë të qartë, të plotë dhe shteruese rrethin e personave që konsiderohen anëtarë të familjes për qëllime të veprës penale të konfliktit të interesit. Në atë dispozitë nuk përfshihet baxhanaku, nuk përfshihet kunati, nuk përfshihen as personat në gjini krushqie. Ligjvënësi ka zgjedhur me vetëdije se kë do të përfshijë dhe kë do të përjashtojë nga kjo normë penale. Kjo zgjedhje mund të pëlqehet ose jo, mund të konsiderohet e ngushtë apo e gjerë, por ajo nuk mund të korrigjohet nga gjykata Pikë”, ka thënë avokati i ish-ministrit Shala, Besnik Berisha.

Prokuroria Speciale pretendon se më 30 maj 2019, Shala ka nxjerrë vendimin me të cilin e ka emëruar biznesin e baxhanakut të tij (V.T.), N.Sh. ‘Euro Inspekt’, si përgjegjës për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.

Si rrjedhojë e këtij vendimi, sipas organit të akuzës, biznesi i baxhanakut është pasuruar kundërligjshëm në vlerë prej 732 mijë eurosh.

Në të njëjtën aktakuzë me Shalën duke u gjykuar është edhe ish-ministri Vesel Krasniqi që është nënkryetar i Komunës së Malishevës, por për të është veçuar procedura në emër të zhvillimit efikas të procedurës penale.

Në kohën sa ishin në qeveri, si Shala ashtu edhe Krasniqi ishin pjesë e partisë Nisma.

TË FUNDIT

TË FUNDIT