Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-pjesëtarin e ISIS-it, Hysri Selimi, me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të Serbisë.
Në bazë të akakuzës së Prokurorisë Speciale ai i ka ndihmuar Agjenicë për Siguri e Inteligjencë të Serbisë BIA.
Sipas organit të akuzës, ai ka takuar drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s Igor Babiq, dhe një zyrtar tjetër në territorin e Republikës së Serbisë, si në Vranjë, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia caktonin paraprakisht e që kishin të bënin me informacionet lidhur me personat e radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vahabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e mesxhideve (vende të faljes jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame).
I akuzuari pretendohet se i ka dërguar informata BIA-s serbe edhe lidhur me pjesëtarët e UÇK-së dhe vrasjet gjatë luftës. Prokuroria Speciale pretendon se ai edhe iu bashkua ISIS-it me urdhër të BIA-s.
Në dhjetor të 2022-tës, Selimi është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, ku ka shërbyer si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it. Aktgjykimi Gjykatës Themelore që është konfirmuar në Apel, konstatoi se ai pati edhe kontakt me figura të tjera të organizatës terroriste që kanë qenë nga Kosova, si Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi.
Aktakuza thotë se i akuzuari, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s (të cilin paraprakisht e kishin pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie) më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
Ndërsa, aktakuza thotë se pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.
Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.
Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi seriozisht ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar ppo ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.
Prandaj, për këto veprime, Hysri Selimi ngarkohej për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.





